Në ligat kryesore të futbollit, mbyllja e merkatos së transferimeve është çështje orësh, pasi pas mesnate nuk do të mund të kryhet më asnjë lëvizje.

Në bazë të rregullore, 30 gushti është afati i fundit për të perforcuar ekipin, konkretisht në Gjermani, Angli, Itali, Francë e Spanjë, ndaj drejtuesit nxitojnë për të finalizuar lëvizjet. Një prej tyre është Chelsea, që synon që deri në mbrëmje të zyrtarizojë afrimin e Jadon Sancho nga Manchester United. Sulmuesi nuk është në planet e Ten Hag, ndërsa largimi është opsioni i vetëm.

Juventus është një prej ekipeve të interesuara, si dhe Chelsea e cila duket më afër afrimit të futbollistit. Tratativat mes Napolit e Al Ahli për Osimhen kanë shkuar më së miri, me nigerianin që me gjasa i jep lamtumirën Europës.

Klubet kanë arritur akordin me njëra-tjetrën, megjithëse Osimhen nuk e ka thënë fjalën e fundit për këtë transferim. 80 milionë euro në arkat e Napolit, kontratë 4-vjeçare për sulmuesin që do të përfitonte 30 milionë euro në sezon, vlerë e cila pritet ta bindë atë.

Në rast refuzimi, do të synohet afrimi i Toney, teksa kujtojmë se Arabia Saudite ka ende afat sa i përket përfundimit të merkatos, që atje mbyllet më 2 shtator./EuroNews