Trajneri i Kombëtares Sylvinho ka publikuar së fundi listën me 24 lojtarë të grumbulluar për dy ndeshjet e Nations League, ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Në portë mungon Berisha dhe prej tij janë thirrur Thomas Strakosha, Alen Sherri dhe Simon Simoni.

Në mbrojtje rikthehet futbollisti i Partizanit Andi Hadroj, ku emrat e tjerë janë: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli dhe Enea Mihaj.

Ndërsa në mesfushë dhe sulm ka dy risi: Sebastjan Spahiu dhe Agim Zeka. Të dy futbollistët më parë kanë qenë pjesë e Shqipërisë U-21. Spahiu aktivizohet në Iran me skuadrën e Mes Rafsanjan, ndërsa Zeka aktivizohet me Partizanin.

Pjesa tjetër e lojtarëve që përbëjnë repartin e mesfushës dhe të sulmit janë: Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Rey Manaj, Armando Broja dhe Taulant Seferi.

Grumbullimi i lojtarëve do të nisë që të dielën në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre, ndërsa grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë të hënën më 2 shtator.

Të premten, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Çekisë, aty ky më 7 shtator do të luhet ndeshja e parë në Grupin B1 të Nations League ndaj Ukrainës, në stadiumin “Epet Arena”, në orën 20:45.

Tre ditë më pas, më 10 shtator, Kombëtarja jonë do të luajë ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45./TeSheshi