Atletja Luiza Gega, e cila u rendit e nënta dhe nuk ia doli të kualifikohej në fazën finale, në garën 3000 metra me pengesa, duke mbyllur rrugëtimin e saj në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, reagoi sot duke u shprehur se nuk ishte në gjendjen e saj më të mirë, pasi po vuante nga një sëmundje.

“Është kaq e vështirë të gjesh fjalë kur ndihesh totalisht e dështuar dhe në fakt në këto momente e tillë ndihem. E di që do kalojë, çdo gjë kalon me kohën, por në këtë moment dhemb shumë sepse vërtetë jam munduar dhe ëndërruar që do ja dal pavarësisht se gjerat që në muajin prill pasi u sëmura morën “dishezën””, shprehet Gega.

Gjithsesi, shton ajo, “përsëri përpiqesha fort çdo ditë edhe përse me shumë stres nga ndjesitë jo të mira të trupit tim, përsëri rrija me shpresën që do e përballoja një garë të niveli, por në fakt nuk ndodhi kështu”.

“Edhe përse nuk e kam thënë kam qenë në dilemë të madhe me veten nëse duhet të vija apo jo, por e di që pengu për të mos e provuar do më lëndonte më shumë. Dua vërtetë t’i kërkojë falje kujtdo që besoi tek unë dhe e zhgënjeva dhe falënderoj të gjithë ato që më mbështesin si në ditë të mira qoftë dhe të vështira. Ëndrra e Parisit mbyllet sot”, shkruan Gega./ata