Në Itali do të nisin veprimtaritë kulturore të Festës së Themelimit të Horës së Arbëreshëvet 2024, vendbanimit më të madh arbëresh në Sicili.

Me rastin e veprimtarive kulturore të Festës së Themelimit të Horës së Arbëreshëvet 2024, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë të veçantë në këtë qendër të rëndësishme arbëreshe në Siçili.

Kryeparlamentarja u prit ngrohtësisht, në këtë vendbanim që historikisht është shquar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë unike arbëreshe.

Vizita e kryetares së Kuvendit shënon një moment të rëndësishëm në Festën e Themelimit, ku priten të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore që do të theksojnë rëndësinë e identitetit arbëresh dhe lidhjen e fortë midis Shqipërisë dhe Italisë.

Kjo ngjarje është një moment i rëndësishëm për komunitetin arbëresh në Itali, që do të shënojë përurimin e shtatores së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot – Skënderbeu.

Statuja prej bronzi, e cila është dhuruar nga shoqata “Hora dhe Skënderbeu” me qendër në Zvicër, do të jetë një simbol i trashëgimisë dhe krenarisë arbëreshe./ata