Bota filologjike shqiptare ka humbur së fundi një prej emrave më prestigjozë të studimeve albanologjike, Genciana Abazi-Egron, bashkëshorten e historianit të njohur Dritan Egro.

Në një nekrologji për të, të shpërndarë nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, thuhet:

Më datën 25 gusht 2024 është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare studiuesja Genciana Abazi- Egro, prej vitesh punonjëse shkencore pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë).

Genciana Abazi-Egro ka qenë studiuese e afirmuar në fushë të gjurmimeve mbi tekstologjinë dhe orientalistikën, mbi letërsinë e divanit dhe figurat kryesore të rrymës letrare të autorëve që kanë shkruar me alfabet arab. Genciana Egro është autore e dy botimeve të rëndësishme kritike të veprave të Nezim Beratit (2009) dhe Hasan Zyko Kamberit (2017), realizuar dhe dalë nga shtypi nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (Departamenti i Studimeve Letrare).

Genciana Egro është autore e një numri të konsiderueshëm shkrimesh dhe artikujsh shkencorë mbi autorë, dukuri e vepra që lidhen me letërsinë shqipe të shkruar me alfabet arab, por dhe drejtuese shkencore e disa punimeve doktorale të mbrojtura me sukses në shkollën e studimeve doktorale pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë. Një pjesë e mirë e artikujve të saj mbi këto fusha studimi janë të botuara në revistat ‘Studime filologjike’ dhe ‘Studime historike’.

Nga janari i vitit 2017 ajo ka qenë dhe titullare e lëndëve Analizë Kritike e Ligjërimit dhe Semiotikë pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Largimi i saj nga jeta është një humbje e madhe për të afërmit e saj, po dhe për komunitetin shkencor të cilit ajo i përkiste”./TeSheshi