Personat e referencës në  njësitë  ekonomike familjare në vendin tonë  priren të jenë në moshë të madhe , ku 49% e tyre  janë 60 vjeç e lart, ndërsa vetëm 15% e tyre janë nën moshën 40 vjeç. Personat e referencës janë individë të cilët në kontekstin e njësive ekonomike familjare  mbajnë rolin e përgjegjësve kryesorë për menaxhimin dhe administrimin e burimeve të familjes. Këta individë janë zakonisht ata që regjistrohen si titullarë të pronës, menaxherë të financave familjare, ose ata që marrin vendime kyçe për çështje ekonomike dhe sociale brenda njësisë familjare.

Nëse analizojmë personat e referencës sipas gjinisë rezulton se përgjithësisht, përqindja e personave të referencës burra është më e lartë krahasuar me gratë përkatësisht 75.7% kundrejt 24.3 %. Kjo tregon një prirje të vazhdueshme të dominimit të burrave në këtë rol.

Nga ana tjetër, të dhënat e publikuara nga INSTAT sinjalizojnë se shpërndarja e konsiderueshme e personave të referencës gra në moshat e mëdha mund të shpjegohet me jetëgjatësinë më të lartë tek gratë dhe diferencën mesatare të moshës ndërmjet bashkëshortëve. Po ashtu, përqindja e grave në grupmoshat më të reja, veçanërisht nën 20 vjeç, është dukshëm më e lartë sesa pritej, duke arritur  në 57.6% , çka tregon një rol të pazakontë të grave të reja si persona reference.

Pas anketimit të Cens-it të popullsisë dhe banesave  rezulton se 88,1% e popullsisë jetonin në NjEF me përbërje tradicionale të bërthamave familjare (fëmijë, bashkëshort, bashkëjetues dhe prindër). Nga pjesa tjetër e popullsisë 7,6 përqind e tyre deklaruan se nuk kishin lidhje familjare dhe 4,3 përqind e popullsisë jetonin vetëm. Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5 përqind e tyre ishin 60 vjeç e lart./Scan