Thethi, fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare, është kthyer në një prej destinacioneve më të vizituara nga turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

Turistët tashmë kanë mundësinë për të kaluar mbi kodrat, lumin e Shalës dhe luginën e tij, duke shijuar pamjet e mrekullueshme dhe adrenalinën përmes një Zipline të teknologjisë së fundit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga Thethi, si ftesë për ta vizituar në këto ditë me temperatura të larta.

“Ja eksperiencat unike në Theth, jo veç me natyrën, por tanimë edhe me atraksionet si Zipline bashkë me mikpritjen e ngrohtë në bujtina e buzëqeshjen e ëmbël të banorëve”, tha Kumbaro.

I gjendur në qendër të Parkut Kombëtar, Thethi rrethohet nga bukuri të papërsëritshme natyrore dhe shtrihet mes majave të thepisura nga ku buron edhe lumi i Shalës.

Me ndërtimin e Zipline, Thethi shton një mundësi tjetër për tërheqjen e më shumë vizitorëve dhe krijon një shans të ri për të promovuar bukuritë natyrore të kësaj zone.

Parku Kombëtar i Thethit ndodhet rreth 70 km larg Shkodrës. Ai është i vizitueshëm në të katër stinët, ku në pranverë dhe verë njihet për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë.

Projektet për Thethin si një destinacion europian turistik, krahas përfitimit të titujve të pronësisë për shtëpi e bujtina, si dhe të një sërë masave të përfshira në “Paketën e maleve”, e cila po përgatitet dhe është drejt përfundimit, – janë pjesë e objektivit të qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone të veriut, duke krijuar një ekuilibër midis natyrës, zhvillimit turistik, ekonomisë, kulturës dhe komunitetit.

Qeveria ka prezantuar së fundi edhe projektin për “Thethin e së nesërmes”, që në harmoni me të gjitha elementët e tjerë, do ta lehtësojë vendimin e shumë emigrantëve të këtyre zonave, që të kthehen të investojnë në agroturizëm e bujtina./ata