Korabi është shndërruar në një destinacion të të pasionuarve pas sporteve në terrene të vështira.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje me momente nga Korabi.

Kreu i qeverisë theksoi se, “Korabi është jo vetëm një prej krenarive tona natyrore, por tashmë edhe destinacion i të pasionuarve pas sporteve në terrene të vështira”.

Korabi, një nga malet më të larta të Evropës Juglindore (2751 m), është shndërruar në një prej atraksioneve më të pëlqyera nga turistët vendas dhe të huaj.

Vargmali i Korabit është një shtrirje e gjerë natyrore me lëndina të pafund, thyerje të relievit, maja malesh që të japin pamje në perspektivë të horizontit të pasosur, lartësi të mëdha që duke sikur je ngjitur në qiell dhe të gjitha këto shoqërohen nga një florë e larmishme bimësh e lulesh, pa harruar mantelin e vjeshtës që mbështjell peizazhin si një napë e florinjtë.

Itinerari i vargmalit të Korabit është shumë i larmishëm dhe fillon në Kërcin, Hinoske, Rabdisht, Grame, Radomirë.

Shtigjet mund të përshkohen në pesë ditë, por ka edhe shtigje njëditore ku mund të shijohen monumentet e kulturës me arkeologji, xhami dhe kisha në Maqellarë, stanet, kampingjet, shtëpitë pritëse e bujtinat në Radomirë.

Bjeshkët, burimet ujore, faunën, florën dhe mikpritjen e traditë do t’i eksploroni në shoqërinë e guidave profesionale lokale.

Udhëheqësit e guidave janë gjithmonë prijës në shtigjet e vargmalit të Korabit./ata