Dy muaj pas formimit të qeverisë së VMRO-DPMNE me kryeministër Hristian Mickoski dhe në koalicion me shqiptarët e VLEN, në qarqe të ndryshme siç është institucioni më i lartë i barazisë ligjore, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, po shfaqen qëndrimet e para kundër gjuhës shqipe. Dje, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski ka paralajmëruar iniciimin e një nisme kundër gjuhës shqipe. Ai tha se “me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik e që rezultoi me kaos politik”.
Në bazë të kësaj deklerate të kreut të Gjykatës Kushtetuese ky ligj së shpejti mund të shfuqizohet dhe përpjekjet për një nismë të tillë mund të nisin pa humbur kohë nga faktori maqedonas.
Zyrtarizimi i gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut u arrit pas përpjekjeve të gjata të faktorit politik shqiptar, për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit e cila shënoi fundin e konfliktit të armatosur në RMV. Kujtojmë që VMRO-DPMNE ka mbajtur vazhdimisht qëndrime antishqiptare qëkur drejtohej nga ish-kryeministri Nikola Gruevski.
Pas deklaratës së kreut të Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski, kanë ardhur edhe reagimet e faktorit politik shqiptar.
Koalicioni VLEN, partitë shqiptare në bashkëqeverisje me VMRO e kanë konsideruar nismën për kontestimin e dygjuhësisë si tentativë për grusht shteti. Një reagim i fortë ka ardhur edhe nga Fronti Europian, koalicioni i partive shqiptare opozitare i përbërë nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët të cilët bëjnë thirrje të mos preket gjuha shqipe.
Nga ana tjetër, Agjencia Për zbatimin e Ligjit për Gjuhët e pakicave ka deklaruar se “nismat e këtilla janë kryekëput me karakter politik, nacionalist dhe antinjerëzor”. “Gjuha shqipe u përket shqiptarëve dhe nuk rrezikon askënd. Tendenca për ta përjashtuar shqipen nga përdorimi zyrtar, është ide e vjetër e cila, siç e dimë, ka prodhuar tensione dhe konflikte”.
Ligji i miratuar në vitin 2018 për dygjuhësinë parashikon që gjuha shqipe të jetë zyrtare jo vetëm në komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare, por edhe në nivel kombëtar./BalkanWeb