Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) ka zyrtarizuar një marrëveshje të re sponsorizimi me kompaninë GRUPPO IDA SRL, e cila do të mbështesë KOKSH për katër vitet e ardhshme. Negociatat për këtë bashkëpunim u iniciuan më herët nga Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, dhe investitori i njohur Ylli Ujka, duke u finalizuar me nënshkrimin e marrëveshjes.
Ylli Ujka, i cili drejton GRUPPO IDA SRL dhe është njëherazi presidenti i ekipit të basketbollit "Besëlidhja", kampioni aktual i Shqipërisë, u shpreh entuziast për sukseset e Team Albania, duke vlerësuar sidomos arritjen e dy medaljeve në Paris. Ai theksoi se biznesi ka një detyrim moral ndaj vendit për të kontribuar në zhvillimin e sportit.
Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, vlerësoi këtë bashkëpunim të ri dhe falënderoi biznesmenin Ujka për kontributin e tij të rëndësishëm në sport përmes investimeve të vazhdueshme. GRUPPO IDA SRL, me një aktivitet të zgjeruar në Itali dhe Shqipëri, është e njohur për ekspertizën e saj në ndërtimin e paneleve solare dhe është një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të energjisë së rinovueshme në rajon./Tema