Kategoria Superiore po shkon drejt fundit, pasi nga gara e rregullt mbeten edhe 6 xhiro, kurse më tej skuadrat që zënë katër vendet e para kalojnë në “play-off”, pasi me formulën e re të kampionatit titullin nuk e fiton thjesht ekipi që renditet në vend të parë, por skuadra që arrin të jetë më e suksesshme në duelet direkte në “play-off”, sidomos kjo e vlefshme kur ekipet janë ngjitur me pikë me njëri-tjetrin. Egnatia, Vllaznia dhe Partizani kanë diferencë mes tyre pak pikë, 6 pikë nga vendi i parë në të tretin, kurse Vllaznia është vetëm dy pikë prapa Egnatias kryesuese. Deri në fund kjo diferencë mund të ngushtohet edhe më tej e nuk përjashtohen surprizat. Në këto rrethana, gara për titullin mbetet e hapur të paktën për këto tre skuadra rivale. Por emocione ka dhe në Kupë, aty ku Vllaznia, Tirana, Kukësi dhe Egnatia po rivalizojnë për dy vendet finaliste. Më afër duket të jenë Kukësi dhe Egnatia që dominuan në duelet e para.

Kalendari i garave

Departamenti i Garave në FSHF ka vendosur datat për ndeshjet e “Final 4”, ku do të përcaktohet ekipi kampion në “Abissnet Superiore” dhe ekipet që marrin pjesë në kualifikueset e UEFA Europa Conference League. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, në periudhën 17-26 maj. Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet më 17 maj, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa gjysmëfinalja tjetër në po të njëjtën orë, më 19 maj. Finalja për vendin e tretë/katërt është programuar të luhet më 24 maj, ora 19:00, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion më 26 maj, ora 19:00. Sa i takon shortit të “Final 4”, ai do të zhvillohet në përfundim të sezonit të rregullt të “Abissnet Superiore”.

“Final Four”, funksionet

Ekipet pjesëmarrëse - 4 vendet e para të “Abissnet Superiore” në përfundim të kampionatit të rregullt. Shorti - Ekipet ndahen në dy vazo, vazo 1 (vendi i parë dhe i dytë), vazo 2 (vendi i tretë dhe i katërt) dhe përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste. Gjysmëfinalet - Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë. Finalet - Ekipet e kualifikuara nga gjysmëfinalet luajnë për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse për vendin e tretë.

Fitimet e klubeve

Vendi i parë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Champions League; Vendi i dytë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League; Vendi i tretë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League; Vendi i katërt në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në Final 4. Mbetet të shihet deri në fund se si do të operojë FSHF për mbarëvajtjen e aktivitetit, pasi një garë e tillë “play-off”-i në Superiore do të rrisë së tepërmi adrenalinën, pasi fut në garë për trofeun plot katër ekipe.