Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me ndërmarrjen publike “Prishtina Parking” kanë vendosur të ndryshojnë infrastrukturën e kryeqytetit me projektin “Qyteti i mençur”.

Pjesë e këtij projekti janë vendosja e sensorëve të parkingjeve, shtyllave “të mençura”, të cilat do të japin informacione për trafikun, vendosjen e biçikletave dhe stacioneve.

Kryeshefi i Prishtina Parking, Sokol Havolli tha për KosovaPress se me këtë do të reduktohen edhe ndotësit e ambientit dhe trafiku, si dhe do të ofrohen alternativa të reja për transport.

Havolli thotë se me implementimin e sensorëve dhe shenjave digjitale, qytetarët do ta kenë më të lehtë gjetjen e parkingjeve të lira.

Havolli paralajmëron në të ardhmen ta implementojnë në mënyrë precize edhe rregulloren e re për banorët rezidentë.

Shfrytëzimi i biçikletave nga qytetarët pritet të fillojë nga java e ardhshme.

/KosovaPress/