Dy ditët e ardhshme, më 2 dhe 3 shtator, në qytetin slloven Bled do të mbahet konferenca ndërkombëtare “Forumi Strategjik i Bledit”.

Konferenca e 19-të këtë vit do të mbahet nën moton “Bota e realiteteve paralele”.

Ky forum është konferenca kryesore në Evropën Qendrore dhe Evropën Juglindore dhe mbahet çdo vit në fund të verës në rrethinën alpine të liqenit Bled.

Konferenca do të bashkojë pjesëmarrës nga fusha të ndryshme, duke i inkurajuar ata të shkëmbejnë mendime dhe të gjenerojnë ide për të zgjidhur sfidat aktuale dhe të ardhshme.

Përveç kësaj, konferenca gjithashtu ofron një mundësi për t’u takuar dhe për t’u lidhur liderët rajonal dhe global.

Siç është paralajmëruar, në këtë forum vjetor do të marrin pjesë presidentja sllovene, Nataša Pirc Musar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe liderë të shumtë nga rajoni dhe Evropa./aa