Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se paga minimale duhet të rritet bazuar në një llogari ekonomike se sa është produktiviteti, sa është niveli pagave në treg e jo të bazohet në qëllime elektorale.

 

Në një postim në rrjetet sociale Tabaku theksoi se “pensionistët, punonjësit, familjet e kushdo të mbajë frymën se një herë në dy vjet mendon qeveria e pakicës për to. Mbasi kishim një vit pa dëgjuar e folur askush nga qeveria për ekonominë këto ditë si i takon periudhës parazgjedhore dëgjuam për pagën minimale, për kufirin e pataksueshëm dhe për shpërblimin e pensionisteve. Si fillim; kodi zgjedhor nuk lejon asnjë politikë taksash të re përpara zgjedhjeve; asnjë mbështetje financiare shtesë; asnjë shpërblim i cili e lidh votuesin/qytetarin me shtetin dhe në historinë e 10 viteve të fundit këto metoda janë perfeksionuar për të përdorur burimet shtetërore për votën”

 

“Buxheti i shtetit është kthyer në një letër pa vlerë që ndryshon sa herë i teket qeverisë duke humbur çdo koncept planifikimi; strategjie e vizioni! Çdo vit 44% e buxhetit shpenzohet në dhjetor; 50 % e të ardhurave mblidhet në dhjetor e si rregull buxheti ndryshon të paktën 6 herë. Çdo parti politike e ka në program rritjen e pagës minimale, ky besoj është qëllimi i politikës të të rrisim nivelin e jetesës; të krijojë e të prodhojë ekonomia por që kjo të ndodhë rritjen e pagës duhet ta drejtojë tregu jo politika e zgjedhjet”, theksoi Tabaku.

 

Sipas sa , rritja e pabazuar e pagës minimale do të rrisë informalitetin, si taksa progresive e si shumë politika të tjera të këtyre viteve.

 

“Rritja e pabazuar e pagës minimale do të rrisë akoma më shumë inflacionin për ato që e kanë të pamundur të mbijetojnë do të ketë efekt me të lartë; do rrisë kostot te biznesi dhe mbi të gjitha do të marre 16 mln euro më shumë nga shtresa e mesme (paga minimale është reference për pagesat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe për pagat me të larta) Prandaj çdo politikë e tillë duhet bazuar në treg”.Po në një ekonomi që nuk prodhon, që ka model zhvillimi ndërtimin; që nuk ka garë e meritokraci në punët publike; në një ekonomi që ka nxitur e rritur pabarazinë është e tepërt të kërkosh normalitet. Çdo politikë duhet të jetë e bazuar në atë që kërkon tregu; dhe jo në fitimin e garave imagjinare me rajonin, i cili ka kohë na ka lënë pas”, tha Tabaku.