Deputetja e Partisë Socialiste Edona Bilali gjatë një interviste për Vizion Plus ka argumentuar arsyen dhe efektet e propozimit të saj ligjor, i cili parashikon që në sipërfaqe kullotash të lejohen investime për energjinë e rinovueshme.

Sipas Bilalit janë të shumta aplikimet nga investitorë të huaj dhe vendas që kanë mbetur pezull, pasi hasin vështirësi në gjetjen e pronës

“Në synojmë që çdo investitor apo grup investitorësh që kanë një kohë të caktuar që kanë aplikuar dhe s’po  gjejnë miratim për shkak të pronës, si pasojë e këtij ngërçi nuk po vihen në jetë investimet që janë të rëndësishme dhe për ne, pasi janë në linjë me politikat e qeverisë. Në duam që të zbatojmë dhe një direktivë që kuvendi i ka lënë ERE-s që nga 8.7 milion kë/h energji që prodhohen në vend, vetëm 1% është energji e rinovueshme”,  tha Edona Bilali për Vizion Plus.

Shqipëria ka rreth 300 mijë ha sipërfaqe kullosore. Një shifër kjo sa 19% e totalit të tokave në vend.

“Panelet janë struktura të përkohshme, vetëm 19% të sipërfaqes totale do të vihet në dispozicion. Këto panele janë të çmontueshme në çdo kohë. Ndaj nuk  ka asnjë impakt kullosor”, tha deputetja.

Që pas krizës së energjisë gjatë vitit 2022, ka një interes të shtuar për të fokusuar investimet në energjinë nga dielli dhe era.

Por ngërçi më i madh në vendin tonë mbetet gjetja e pronave.

Ndaj ky ndryshim ligjor, sipas qeverisë do të hapë rrugën për realizimin e investimeve të tilla, të nevojshme për Shqipërinë, e cila është tërësisht e varur nga moti për prodhimin e energjisë./vizionplus.tv