Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në konferencën e përjavshme per mediat, ku ndër të tjera ka folur për hapjen e fushatës elektorale ditën e nesërme.

 

Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë të vijnë nesër në hapjen e fushatës elektorale të koalicionit “Bashkë fitojmë”.

 

Po ashtu ai rrëzoi sondazhet për zgjedhjet lokale të 14 majit, ndërsa akuzoi Ramën se ka dhënë para për të falsifikuar rezultatet.

 

“Së pari, dëshiroj t’u drejtoj një thirrje të gjithë demokratëve të Shqipërisë, mbështetësve të PD-së, por edhe të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të vijnë nesër në festën e hapjes së fushatës elektorale të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.

 

Kjo fushatë karakterizohet nga një frymë e shkëlqyer optimizmi dhe besimi në fitoren e njëjtë me atë të vitit 1992.

 

Ka një situatë të elektrizuar, të cilën unë e kam përjetuar vetëm në pranverën e vitit 1992.

 

Ka disa ngjashmëri të tjera, në pollet e asaj kohe, më kujtohet si sot kur kompania më prestigjioze e botës në atë kohë, Gallup, nxori Partinë e Punës 22 pikë përpara PD-së.

 

Në një kohë kur më 22 mars, Partia e Punës me emër të ri, doli gjithsej me 20 përqind. Gallup, një kompani shumë serioze, mori një vendim: asnjë poll më në Shqipëri. Gjer sot, Gallup USA nuk ka bërë asnjë poll. Ajo që ka bërë poll është Gallup Bulgaria.

 

Unë besoj se Gallup në atë kohë i mashtroi me qëllim shifrat, por antena lokale që kishte përzgjedhur, e mashtroi në mënyrë të paskrupullet Gallup-in.

 

Edi Rama u ka dhënë kompanive të polleve, nga 1 milionë euro secilës për të falsifikuar rezultatet. Por e vërteta është se edhe në këtë falsifikim, kandidatët tanë janë në ngjitje vertikale. Ngjitja është vertikale kudo”-tha Berisha.