Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,u takua ditën e djeshme me themeluesen dhe presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserkon. Në takim morën pjesë edhe Nenad Çanak, politikan serb, bashkëthemelues dhe ish-udhëheqës i partisë së qendrës së majtë, Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës dhe Mark Baskin, profesor dhe drejtor i Qendrës për Dialog Humanitar.

Mediat në Kosovë shkruajnë se gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin Kurti se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Bëhet me dije se ata apeluan te kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë.

Gjithashtu thuhet se Kurti ritheksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht përfshirjen e komunitetit serb në të gjitha aspektet e ekonomisë dhe shoqërisë. Ai njoftoi të ftuarit e tij për të drejtat që gëzojnë komunitetet jo-shumicë në Kosovë./Dosja