Pas punës intensive dhe që zgjati për shumë muaj rreth formatit të Kupës së Botës, tashmë FIFA është gati të aprovojë zhvillimin e eventit me 48 skuadra. Kjo pritet të ndodhë prej edicionit të vitit 2026, i cili do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Eventi i zgjeruar do të ketë 104 ndeshje, krahasuar me 64 ndeshjet e luajtura në Katar 2022, në të cilin merrnin pjesë vetëm 32 ekipe përfaqësuese. Vendimi duket fare pranë zyrtarizimit, që pritet të vijë në orët në vijim, në mbledhjen e Këshillit Drejtues në Kigali të Ruandës.

Sipas mediave angleze, zhvillimi i Kupës së Botës në formatin më 48 ekipe do të shoqërohet me ndryshime në mënyrën e organizimit të eventit. Edhe pse ishte përfolur se turneu mund të realizohej me 16 grupe me nga 3 skuadra, në realitet pritet që të miratohet formati më pranë tradicionales, me 12 grupe, në të cilat do të luajnë 4 ekipe.

Në atë rast, përveç skuadrave fituese dhe atyre që pozicionohen në vendin e dytë, do të kualifikoheshin edhe 8 ekipet më të mira të vendeve të treta. Faza pas grupeve do të ishte ajo e 1 të 16-ave. Me pak fjalë, në Botërorin 2026 do të zhvillohet një fazë më tepër me ndeshje. Zgjerimi i eventit do të sillte përfitime shtesë për FIFA-n, që përllogariten nga 10 deri në 12,5 milionë euro.