Britania e Madhe ka pezulluar 30 licenca për eksportin e armëve në Izrael pas një rishikimi, njoftoi të hënën ministri i Jashtëm i vendit David Lammy.

Duke iu drejtuar parlamentit, Lammy tha se vendimi vjen pasi një rishikim i licencave të eksportit të armëve në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se ekzistonte një "rrezik i qartë" që ato të përdoreshin në një mënyrë që mund të shkelte ligjin ndërkombëtar.

“Përballë këtij konflikti, është një detyrë ligjore e kësaj qeverie të rishikojë licencat e eksportit në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Lammy.

Rreth 30 nga 350 lejet do të pezullohen, tha kreu i diplomacisë britanike.

"Ky nuk është një ndalim i përgjithshëm, kjo nuk është një embargo armësh," sqaroi ai.

Qeveria britanike është nën kritika për licensimin e vazhdueshëm të eksporteve të armëve në Izrael.

Në qershor, Departamenti për Biznes dhe Tregti tha se Mbretëria e Bashkuar kishte lëshuar 108 licensa për të eksportuar armë në Izrael që nga 7 tetori – kur filloi konflikti në Gaza – ndërkohë që më shumë se 300 licensa ishin ende aktive./aa