“Festivali i Yjeve”, që u zhvillua në një nga lëndinat panoramike të Parkut Kombëtar të Shebenikut, mblodhi vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, të cilët shijuan programin artistik në skenën unike të natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa momente të bukura nga ky festival, që u organizua në Fushë Studën, Librazhd.

“Festivali i Yjeve” filloi në muzgun e natës së fundit të gushtit për të vazhduar përgjatë gjithë natës, deri në orët e para të mëngjesit.

Pjesëmarrësit në këtë event shijuan një super spektakël në natyrë, nën ndriçimin e yjeve dhe zjarreve.

Parku Kombëtar i Shebenikut është kthyer në destinacionin turistik më të preferuar edhe nga të huajt që vizitojnë qarkun e Elbasanit.

Simboli i Fushë Studënit është liqeni, i cili ndodhet rrëzë pyllit të ahut, çka i jep atij një pamje tepër piktoreske, dhe tërheq mijëra turistë vendas dhe të huaj.

Fushë Studëni, nga pozicioni gjeografik, pasuritë natyrore, traditat kulturore, ka mundësuar dhe mundëson një turizëm malor të veçantë.

Ardhja e vizitorëve për peshkim, ecje sportive, alpinizëm, tregon se Fushë Studën është një ndër vendet më të preferuara të parkut./ata