Krijuesi i profilit të zbutësit të kafshëve në Cirkun shqiptar, Tahir Baçova ndërroi jetë sot në moshën 88-vjeçare.

Tahir Baçova, Artist i Merituar, lindi në Tiranë më 23 korrik 1936.

Ai e filloi karrierën artistike që në moshën 17-vjeçare deri 65 vjeç. Edhe pse doli në pension ai kurrë nuk u nda nga pasioni i tij i zbutjes së kafshëve e për ta kthyer atë në art, për të argëtuar të madh e të vogël jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.

Fillimisht u aktivizua pranë Cirkut Amator e më pas si Profesionist në Cirkun e Tiranës, sot Cirku Kombëtar.

Baçova mbetet bazamenti dhe promotori i profilit të kafshëve në Cirkun shqiptar, bashkë me bashkëshorten e tij Sanie Baçova, e para dhe e vetmja artiste grua në profilin e zbutësit të kafshëve në Cirkun shqiptar.

Me punën e tij të palodhur e me pasion ai bëri të pamundurën të mundur, i ktheu kafshët në ndërveprim me akrobatët e cirkut, por dhe me publikun.

Artisti i Merituar Tahir Baçova prej më shumë se 40 vitesh ia kushtoi jetën dhe pasionin e tij punës me kafshët, i palodhur, këmbëngulës, me dëshirën për të dhuruar art./ata