Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, diskutoi sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike””.

I pranishëm në mbledhjen e Komisionit, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, tha se, “ndryshimet ligjore synojnë forcimin e procesit të rinxhinierimit që lehtëson ofrimin e shërbimeve elekronike publike për qytetarët dhe biznesin; përmirësimin e kapaciteteve njerëzore me 30%, që ndikon në shtimin e numrit të shërbimeve dhe përdoruesve dhe konsolidimin e infrastrukturës digjitale gjatë viteve 2025-2027”.

Sipas tij, ndryshimet në ligjin për qeverisjen elektronike, i miratuar në vitin 2023, lidhen me disa saktësime teknke, që kanë dalë si nevojë e zhvillimeve të kohës, me qëllim përmirësimin vijues të këtij ligji.

“Konkretisht ndryshimet kanë të bëjnë në ngritjen e infrastruktuës digjitale, ngritjen e sistemeve elektronike dhe implementimin e një elementi të ri që është Inteligjenca Artificiale. Ndryshimet nuk e prekin thelbin e ligjit por janë të lidhura me qartësimin e çështjeve që ka nxjerrë koha”, u shpreh Balla.

Në këtë kontekst vijoi ai, propozohet që AKSHI-n ta kemi me një Bord Këshillimor që të shërbejë si një organ këshillimor për çështjet e teknologjisë dhe informacionit. Ndërsa është parashikur në ligj ofrimi i shërbimit të nënshkrimit elektronik, vulës elektronike  dhe certifikatës elektronike për shtetasit shqiptarë dhe të huaj.

Balla tha se, “ky ligj vendosi baza të shëndosha të një zhvillimi të qëndrueshëm për shërbimet digjitale me objektivin e qartë ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët në fushën digjitale, duke ua lehtësuar ofrimin e tyre, por duke i bërë këto shërbime edhe më transparente”.

Sipas tij, Shqipëria ka sot nivelin më të lartë me shërbime elektronike me 1242 shërbime të disponueshme online përmes platformës e-Albania, duke shënuar këtu nivelin e 95% të shërbime publike që ofrohen online.

Ai theksoi se, Agjencia Kombëtar e Shoqërisë së Informacionit është autoriteti që i është  besuar administrimi dhe mirëmbajtja e çdo infrastrukture për shërbimet publike në fushën e informacionit dhe teknologjisë.

“Zhvillimet në qeverisjen digjitale dhe ndryshimet ligjore i shërbejnë direkt shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Synimi ynë është që shërbimi konsullor të ofrohet onlione. Përmes 1242 shërbimeve ne u kemi kursyer mbi 25 milionë euro qytetarëve shqiptarë në dy vitet e fundit”, tha Balla, teksa vuri në dukje se, angazhimi i qeverisë është thellimi i shërbimeve online.

Ai tha se, kuadri ligjor ekzistues ka një hendek financiar në lidhje me rekrutimin e stafit për shkak të nivelit të pagave që ofron tregu për këto detyra, ndaj ky hendek do të rikuperohet.

“Objektivi i qeverisë të kemi sa më pak sportele ndërsa është vendosur dhe një dispozitë specifike për subjktet private që t’i përmbahen standardeve në ofrimin e shërbimeve elektronike. Domosdoshmëria e ndryshimeve lidhet me adresimin e zgjidhjeve të mangësive që paraqiten për ta përmirësuar atë. Qeveria mbetet promotore e shërbimeve online. e-Albania është një histori suksesi që ka forcuar besimin e qytetarëve përmes forcimit të infrastrukturës digjitale sipas parimeve europiane”, deklaroi Balla./ata