Ristrukturimi i inspektoriateve dhe konsolidimi i tyre sipas rekomandimeve nga OECD si dhe trajtimi i shkeljeve ligjore përmes inspektimit, duke vendosur paralajmërimin si mjet kryesor të dënimit administrativ, janë ndryshimet kryesore që vijnë në projektligjin “Për inspektimin”.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj e pranishme sot në mbledhjen e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, tha se, qëllimi i ndryshimeve ligjore është një ristrukturim i plotë i të gjithë sistemit, rekrutimit trajnimit të inspektorëve.
Gjithashtu vijoi ajo, fokus është unifikimi i veprimtarisë së inspektimit në nivel qendror dhe vendor, funksionet, rregullat dhe procedurat që zbatohen gjatë inspektimit, si dhe marrëdhënien e punësimit, rekrutimit, trajnimit dhe ecurisë në karrierë të inspektorëve.
“Ne synojmë uljen e numrit të inspektoriateve dhe përmirësimin e fumnksionimit të këtij sektori. Ligji ka rëndësi të veçantë dhe prek marrëdhëniet mes qeverisë dhe biznesit. Ky projektligj vjen në vazhdën e refomave që qeveria ka ndërmarrë për lehtësimin e shërbimeve digjitale si mjet shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, rritjen cilësisë së shërbimeve dhe produktivitetin e sipërmarrjeve, si elementë kryesorë të përmirësimit të klimës së biznesit”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj theksoi se, ligji ekzistues “Për inspektimet” është i vitit 2011 ndaj ndryshimet vijnë si një domosdoshmëri e përmbushjeve të kërkesave për anëtarësimin në BE.
Ibrahimaj tha se, inspektorati e ka humbur besimin e biznesit.
“Fakti është që vetëm 6% e penaliteteve ankimohen. Pra inspektorati nuk është aty ku duam ndaj dhe ndryshimet ligjore që paraqesim pas diskutimeve me aktorët e tregut synojnë rritjen e garantimin e transparencës dhe rritjen e standardeve të sigurisë sipas BE-së”, u shpreh ajo.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se në kuadër të kësaj reforme është i domosdoshëm bashkëveprimi mes inspektorateve vendore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, me qëllim mbështetjen dhe koordinimin e aktiviteteve të inspektimit.
Përmes këtij pr/ligji qeveria synon mbrojtjen e interesit publik, forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, përmirësimin të vazhdueshëm nëpërmjet këshillimit të subjektit të inspektimit si dhe rritjen e efektivitetit të administratës publike nëpërmjet përdorimit të teknologjisë në veprimtaritë e inspektimit.
Po ashtu, pr/ligji i ri siguron këshillimin si masë të parë ndaj subjektit të inspektuar të gjendur në shkelje./ata