Hamasi tha se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu kërkon fitore imagjinare në Rripin e Gazës.
Anëtari i Byrosë Politike të Lëvizjes së Hamasit, Izzat al-Rishq bëri një deklaratë me shkrim nga llogaria e tij Telegram pasi Netanyahu në konferencën për media që mbajti mbrëmë e bëri përgjegjës Hamasin për vdekjen e 6 pengjeve izraelite.
"Për jetën e pengjeve të mbajtur nga rezistenca, përgjegjës është Netanyahu. Ndërkohë që forcat e rezistencës tregojnë kujdes për trajtim të mirë dhe për të mbrojtur jetën e tyre, ai (Netanyahu) insiston në vrasjen e tyre dhe injorimin e situatës së tyre", tha Al-Rishq.
"Me deklaratën që bëri Netanyahu u vërtetua se është vet ai i cili pengon shkëmbimin e pengjeve dhe marrëveshjen për armëpushim. Netanyahu kërkon fitore imagjinare për luftën që zhvillon prej 11 muajsh në Rripin e Gazës dhe për dështimin në marketingun e tij ndaj popullit", theksoi Al-Rishq.
Netanyahu tha se ishte "i tronditur" kur dëgjoi deklaratat e disa zyrtarëve izraelitë që bënin thirrje për t'i dhënë fund pushtimit të Korridorit të Filadelfit në vijën kufitare Egjipt-Gaza, pas gjetjes së trupave të 6 pengjeve izraelite në Gaza javën e kaluar dhe se do të insistojnë në vazhdimin e okupimit atje.
Ushtria izraelite njoftoi se trupat e 6 pengjeve izraelite u gjetën më 1 shtator në një tunel në qytetin Rafah të Rripit të Gazës. Hamasi deklaroi se 6 pengjet izraelite humbën jetën "në bombardimet izraelite që masakruan popullin palestinez me armë amerikane"./aa