Disa palestinezë janë vrarë për shkak të sulmeve ajrore dhe granatimeve të vazhdueshme izraelite në të gjithë Rripin e Gazës.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa njoftoi se dy palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit ndaj një tende në veriperëndim të qytezës Khan Younis, në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Ndërkohë, në kampin e refugjatëve Bureij, që ndodhet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, avionët luftarakë izraelitë goditën një shtëpi, ndërsa automjetet ushtarake izraelite qëlluan ndaj kampit, duke shkaktuar viktima.
Në pjesën veriore të Rripit të Gazës, ushtria izraelite shkatërroi disa ndërtesa në lagjen Zeitoun, raportoi Wafa.
Autoritetet shëndetësore palestineze ende nuk kanë njoftuar numrin zyrtar të të vrarëve nga sulmet izraelite.
Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, në luftën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 40.700 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa janë plagosur mbi 94.200 të tjerë.
Bllokada e vazhdueshme ndaj enklavës ka shkaktuar mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, si dhe ka lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid për veprimet e tij në Gaza në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./aa