Përderisa marrëveshja e drithërave e Detit të Zi është paraparë të skadojë të shtunën, Türkiye bëri të ditur se bisedimet për zgjatjen e saj janë ende duke u zhvilluar.

Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Türkiye-s thuhet se ministri Hulusi Akar bashkë me autoritetet përkatëse vazhdojnë të negociojnë dhe të koordinohen për të vazhduar me aktivitetet e marrëveshjes së drithrave, si dhe për ta zgjatur atë në përputhje me marrëveshjen, duke marrë parasysh kërkesat e palëve.

 

"Në këto bisedime, palëve u kujtohet rëndësia e vazhdimit të kësaj nisme, e cila ka një ndikim pozitiv ndaj njerëzve në mbarë botën dhe dëshmon se të gjitha krizat mund të zgjidhen me vullnet të mirë dhe dialog", thuhet në njoftim.

 

Marrëveshja e drithërave e Detit të Zi ka mundësuar eksportin e 24 milionë tonë drithërave, theksohet në deklaratë, duke shtuar se Türkiye do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj për të siguruar paqen në rajon dhe ndihmën humanitare.

 

Në deklaratë gjithashtu thuhet se "janë vlerësuar hapat e ndërmarra nga palët për të zgjeruar iniciativën".

 

Deklarata erdhi një ditë pasi Rusia tha se mbështet një zgjatje 60-ditore të marrëveshjes historike që u nënshkrua nga Türkiye, OKB, Rusia dhe Ukraina në Istanbul korrikun e kaluar, duke mundësuar rifillimin e eksporteve të grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u bllokuan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.

 

Megjithatë, Ukraina tha se pozicioni i Rusisë për të zgjatur marrëveshjen "vetëm për 60 ditë bie ndesh me dokumentin".

 

Marrëveshja u zgjat për 120 ditë në nëntor 2022./AA