Drejtori i përgjithshëm i korporatës shtetërore të energjisë bërthamore të Rusisë "Rosatom", Alexey Likhachev tha se rreziku për centralin bërthamor të Kurskut nuk është ulur.

Likhachev bëri një deklaratë për kanalin shtetëror rus "Rossiya 24" në kryeqytetin e Mongolisë, Ulaanbaatar, të cilin ai e vizitoi për të zhvilluar takime.

Duke kujtuar se kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi vizitoi pak kohë më parë centralin e Kurskut, Likhachev tha: "Shpresojmë që ai të tregojë guximin dhe vendosmërinë politike për të mos lejuar një aksident apo tragjedi".

Likhachev tërhoqi vëmendjen se sirenat vazhdojnë të bien për shkak të sulmeve në rajonin e Kurskut. "Në ditët e fundit nuk ka pasur asnjë sulm ndaj centralit, por shumë raketa që iu afruan u qëlluan. Shumë mjete ajrore pa pilot (dronë) jashtë centralit u neutralizuan. Rreziku është ende shumë i lartë", tha ai.

Sipas tij, centrali funksionon në mënyrë normale dhe se dy njësi janë nxjerrë jashtë funksionit, mirëmbajtja e planifikuar është kryer në njësinë e katërt dhe njësia e tretë funksionon me kapacitet të plotë.

Pas sulmeve të nisura nga ushtria ukrainase më 6 gusht në rajonin e Kurskut filluan përleshje të ashpra.

Gjatë vizitës së tij në rajon më 27 gusht, Grossi deklaroi se "Ekziston rreziku i një incidenti bërthamor në rajonin e Kurskut"./aa