Qytetarë të Republikës së Kosovës kanë hasur në mbetje mortore në Mitrovicën e Veriut, të cilat institucionet kosovare dyshojnë se u përkasin viktimave të listes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur nëpërmjet një njoftimi për media, bëri të ditur se qytetarët, me të hasur në këto mbetje, kanë njoftuar policinë dhe më pas ekipi mjekoligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore i ka tërhequr eshtrat për ekzaminim.

“Qytetarët kanë hasur në eshtra (mbetje mortore), në veriun e Kosovës (Mitrovicë). Pas njoftimit nga Policia e Kosovës, ekipi mjekoligjor i IML-së ka tërhequr mbetjet mortore (eshtrat) për ekzaminimet e mëtejme mjekoligjore. Komisioni do t'ju njoftojë pas verifikimit dhe konstatimit nga IML, nëse të njëjtat janë më interes forenzik, dhe potencialisht mund t’u përkasin viktimave të listës së personave të zhdukur”, thuhet në njoftimin e këtij komisioni.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se së shpejti do të bëhen gërmime në Kozhle, vend midis Novi Pazarit e Tutinit në Serbi, për mundësinë e gjetjes së varrezave masive.

Në Kosovë ende nuk dihet fati edhe i 1.595 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës./aa