I ftuar në Forumin Strategjik të Bledit, ministri për Evropën dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë në panelin me temë “Evropa e plotë dhe e lirë: Një angazhim i ripërtërirë për sigurinë evropiane”.
Gjatë panelit ministri Hasani parashtroi përparimin e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria, në udhëtimin e saj drejt integrimit evropian
“Është e rëndësishme të kuptohet se Shqipëria nuk ka bërë thjesht përparim, Shqipëria ka bërë një përparim të madh që është konkret, i matshëm dhe real, dhe pranohet si i tillë”, tha ai.
Gjithashtu, ministri Hasani vuri në dukje përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë për të vazhduar me zbatimin e reformave të domosdoshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, integrimi në BE është e vetmja rrugë e qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor, duke siguruar transformimin dhe ruajtjen e një Evrope të bashkuar.
“Të dyja, Bashkimi Evropian edhe Ballkani Perëndimor duhet të angazhohen në kohë për reforma dhe strategjitë inovative të integrimit. Ne kemi metodat dhe mjetet. Tani kemi nevojë për vendime të shpejta politike,” theksoi ministri Igli Hasani.
Ministri Hasani përgëzoi homologen sllovene Tanja Fajon për organizimin e këtij forumi të rëndësishëm në trajtimin e sfidave aktuale të sigurisë dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal./ata