Turizmi global është rikthyer në trajektore të fortë rritëse, duke rikuperuar tërësisht efektin e pandemisë. Rritja e kërkesës botërore ka shkaktuar një rritje të fortë të çmimeve, të ndjerë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vende si Turqia, Italia, Franca e Greqia.

Të dhënat e Eurostat raportojnë se si rrjedhojë paketat turistike për qytetarët e vendeve të BE-së u rritën mesatarisht 6.6% në Korrik, veçanërisht për destinacionet e brendshme. Por nga ana tjetër, në Shqipëri, rritja ishte minimale me mesatarisht 1.4% për paketa brenda dhe jashtë vendit. Faktori kryesor ishte rënia e euros në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, që bëri që pushimet jashtë Shqipërisë në fakt të bien me 6%.

Kjo fuqi ekonomike e valutës, kombinuar edhe me rritjen e pagave, bëri që shumë shqiptarë të zgjedhin të pushojnë me paketa turistike jashtë vendit. Një fenomen që mund të shpjegojë edhe uljen e raportuar të turistëve vendas në plazhe.

Sipas INSTAT në muajin Korrik 705 mijë shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 1,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Scan