Në ceremoninë zyrtare të organizuar në Kryeministri për nderimin e sportistëve medalistë të mundjes Chermen Valiev dhe Islam Dudaev dhe trajnerët e tyre, që sollën për të parën herë në historinë e vendit tonë dy medalje olimpike të fituara në Lojrat Olimpike “Paris 2024”, është akorduar nga Kryeministri Edi Rama vlerësimi përmes shpërblimeve financiare për sportistët medalistë dhe trajnerët e tyre.
Manastirliu në fjalën e saj theksoi mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë shqiptare nëpërmjet buxheteve të rrituara dhe mbështetjen direkte me një sistem shpërblimi financiar që është ndër më të mirët në rajon e më gjerë.
Ajo e konsideroi arritje dhe sukses kombëtar.
“Këto medalje nuk janë thjesht një arritje individuale, janë një sukses kombëtar, që na bën të ndihemi të gjithë krenarë, por dhe me të vendosur për të investuar në sport, që Shqipëria të mbërrijë në maja të reja në arenën ndërkombëtare”,- tha ministrja Manastirliu, duke vënë theksin tek investimet në infrastrukturën sportive në shkolla, pallatet e sporteve, stadiumet, Universitetin e Sporteve dhe partneritetet e reja që hapin dyert për akademitë më të mira në botë në fushën e sportit, sikurse janë Akademia Elite e Manchester City dhe Qendra Sportive me Akademinë Rafa Nadal.
Ministrja Manastirliu foli gjithashtu për shtimin e disiplinave sportive dhe rritjen e angazhimit të nxënësve në ekipet sportive në shkolla.
“Ne nxisim dhe mbështesim sportin për të gjithë, ashtu siç e kemi nisur me lëvizjen sportive në shkolla, programi më i madh kombëtar, që ka angazhuar mbi 10 mijë fëmijë e ka bërë të mundur ngritjen e 480 ekipeve sportive në shkolla. Ambicja jone është shtrirja e mëtejshme, përmes shtimit të disiplinave të reja sportive dhe përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në të gjitha ciklet e edukimit”,- tha ministrja Ogerta Manastirliu.
Sportistët që morën medalje në Lojërat Olimpike “Paris 2024” përfituan mbështetjen fianciare të akorduara si më poshtë: Islam Dudaev për vendin e 3-të (65kg) përfiton 5.000.000 lekë dhe trajneri Ermal Kryeziu përfiton 2.000.000 lekë. Sportisti Chermen Valiev, vendi i 3-të (74kg) shuma që përfiton: 5.000.000 lekë dhe trajneri Leonard Çakmashi përfiton 2.000.000 lekë. Sportisti Zelimkhan Abakarov për vendin e 8-të (57) përfiton 500.000 lekë dhe trajneri Leonard Çakmashi përfitoi 200.000 lekë./ata