Në vitin 1998, legjenda e basketbollit, Michael Jordan, veshi një palë atlete Air Jordan 13, në ndeshjen e dytë të finaleve të NBA, duke shkëlqyer teksa skuadra e tij, Chicago Bulls, shpallej kampione. Sot, ato atlete parashikohet të thyejnë rekord në ankand dhe të bëhen më të shtrenjtat në histori.

 

Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” në Nju-Jork do t’i nxjerrë në shitje muajin e ardhshëm dhe vlera e tyre mund të arrijë deri në 4 milionë dollarë. Rekordi i tanishëm për atletet më të shtrenjta është vendosur në vitin 2021, ku një palë atlete të veshura po nga Jordan në fillimet e karrierës së tij, u shitën për 1,47 milionë dollarë.

 

2023-shi quhet “Viti i Jordan”, bazuar në numrin 23 që ai mbante në fanellë. Gjatë këtij viti parashikohet të shiten 13 palë atlete.

 

Vitin e kaluar, fanella që Jordan veshi në ndeshjen e parë të finaleve të vitit 1998 u shit për 10,1 milionë dollarë, duke u bërë objekti sportiv i koleksionit më i shtrenjtë në histori.

 

Ndeshjet e fundit të Jordan me Bulls etiketohen edhe si “The Last Dance” – “Vallëzimi i fundit”, sipas titullit të një dokumentari të ESPN dhe Netflix kushtuar atij. Jordan kishte deklaruar se do të tërhiqej për herë të dytë nga sporti dhe ato ndeshje kundër Utah Jazz u bënë më të ndjekurat në historinë e NBA.