Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi paraqiti sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik marrëveshjen ndërmjet AMA-s dhe rrjetit social TikTok.
Krasniqi bëri me dije se, në zbatim të këtij bashkëpunimi, AMA ka proceduar me hapjen e një dritareje në faqen e saj web, ku mundësohet dërgimi i ankesave nga qytetarët, ndërsa plotësimi i formularit të aksesuar në dritaren e komunikimit vijon me analizë të videos që kontestohet.
“AMA nuk kryen monitorim të platformave të shpërndarjes së videove. Stafi i cili shqyrton ankesat e ardhura sipas formularit (në faqen e AMA-s) ka në përbërje të tij punonjës të Këshillit të Ankesave, Drejtorisë së Integrimit dhe Legjislacionit Ndërkombëtar, Drejtorisë së Planifikimit të Frekuencave dhe TIK si dhe Drejtorisë së Inspektimi dhe Mbikëqyrjes, ku dërgohen për raportim në platformën TikTok vetëm ato video të cilat janë në shkelje të Ligjit”, sqaroi kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Krasniqi, në informacionin mbi bashkëpunimin midis AMA dhe TikTok në kuadër të raportimit të videove me përmbajtje të dëmshme, sqaroi më tej dispozitat ligjore ku është bazuar ky bashkëpunim.
Anëtarët e Komisionit bënë pyetje për kufijtë ligjorë dhe si funksionon ky bashkëpunim, për adresimin nëse vërehen në këtë platformë video me përmbajtje për çështje penale etj.
Krasniqi u përgjigj se, ky kufi është vetëm ligji dhe se marrëveshja me TikTok nuk përfshin platformat me vijë editoriale, pra ato që kanë përgjegjësi editoriale si dhe dha sqarime të mëtejshme mbi transparencën e këtij procesi./ata