Policia gjermane qëlloi për vdekje një të dyshuar sot në një rrugë pranë Konsullatës së Përgjithshme të Izraelit në Mynih, tha ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann.
"Burri mbante një armë të gjatë dhe shkrepi një sërë të shtënash", u tha gazetarëve Herrmann, duke shtuar se forcat e policisë u alarmuan dhe iu përgjigjën shumë shpejt kërcënimit.
Ministri tha se incidenti ndodhi pranë një muzeu mbi krimet e regjimit nazist, i cili ishte afër qendrës kulturore amerikane Amerikahaus dhe Konsullatës së Përgjithshme të Izraelit në qendër të qytetit.
Ai tha se motivi i të dyshuarit nuk është tani për tani i qartë dhe një hetim i plotë është duke u zhvilluar për të mbledhur më shumë informacione.
"Por, është e qartë se nëse dikush e parkon makinën e tij drejtpërdrejt para Konsullatës së Përgjithshme të Izraelit, dhe pastaj ecën përreth ndërtesës me armë dhe fillon të qëllojë, sigurisht, ose me një shkallë të lartë probabiliteti, nuk mund të jetë rastësi", tha Herrmann.
Zëdhënësi i Departamentit të policisë së Mynihut, Andreas Franken u tha gazetarëve se i dyshuari ishte një shtetas austriak 18-vjeçar, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme për shkak të hetimeve në vazhdim.
"Hetimi është ende në vazhdim dhe ne do të japim informacione të mëtejshme në një fazë të mëvonshme në koordinim me zyrën e prokurorit publik", tha ai.
Transmetuesit publikë WDR, NDR dhe e përditshmja "Süddeutsche Zeitung" raportuan më herët se i dyshuari njihej nga autoritetet si ekstremist fetar. Rrugët përreth Konsullatës së Përgjithshme të Izraelit u rrethuan nga policia pas të shtënave dhe njësitë speciale të policisë u vendosën në zonë si masë paraprake.
Ministria e Jashtme izraelite tha se asnjë diplomat apo anëtar i stafit nuk janë lënduar në incident. Ai tha se Konsullata e Përgjithshme tashmë ishte mbyllur për të përkujtuar vdekjen e atletëve izraelitë në sulmin gjatë Olimpiadës së vitit 1972 në Mynih./aa