Presidenti ukrainas Zelensky do të shkoj sot në Gjermani për të takuar ministrat e mbrojtjes të vendeve që mbështesin Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Thuhet se në këtë takim me aleatët e tij ai do t’u kërkojë këtyre të fundit furnizime të reja, veçanërisht sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.

Ndërkohë Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të furnizojë Ukrainën me 650 sisteme raketore për ta ndihmuar atë të forcojë mbrojtjen e saj ajrore në muajt e ardhshëm.

Gjatë një deklarate për shtyp Ministria e Mbrojtjes britanike tha se dorëzimi i parë i 650 sistemeve të raketave modulare të lehta (Lmm) do të bëhet para fundit të vitit, në bazë të një kontrate me vlerë 162 milionë paund (192 milionë euro).

Këto raketa do të bëhen nga grupi francez Thales në fabrikën e tij në Belfast, në Irlandën e Veriut.

Ato janë të dizajnuara "për t'u nisur nga një shumëllojshmëri platformash taktike tokësore, detare dhe ajrore" dhe mund të godasin si një objektiv tokësor ashtu edhe një dron në fluturim, sipas prodhuesit.

Dorëzimi i ri i raketave do të njoftohet sot nga ministri i Mbrojtjes John Healey, i pranishëm në takimin e grupit të kontaktit të aleatëve të Ukrainës në bazën ajrore amerikane në Ramstein të Gjermanisë./Shqiptarja