Kancelari gjerman, OIaf Scholz, është zotuar se do të rrisë aftësitë e mbrojtjes ajrore të Gjermanisë.
“Putin ka vendosur raketa edhe në Kaliningrad, vetëm 530 kilometra larg Berlinit. Mos përgjigja e duhur ndaj kësaj do të ishte neglizhencë”, tha Scholz në një ceremoni të mbajtur në një bazë ushtarake në Gjermaninë veriore.
Scholz tha se ushtria gjermane ka filluar të operojë sistemin e saj të parë të mbrojtjes ajrore IRIS-T SLM me bazë tokësore pasi trajnimi u përfundua me sukses në bazën ushtarake Todendorf.
“Ky është një hap i rëndësishëm për sigurinë e vendit tonë, pasi mbrojtja ajrore ishte lënë pas dore për një kohë të gjatë. Në të njëjtën kohë është një hap i rëndësishëm për sigurinë evropiane. Do të doja të falënderojë të gjithë ata që punojnë me ne për të përmirësuar mbrojtjen tonë ajrore evropiane, si një kontribut i dukshëm për forcimin e shtyllës evropiane të NATO-s”, shtoi ai.
Sistemet ‘IRIS-T’ nga prodhuesi gjerman ‘Diehl Defence’ janë të njohur për performancën e tyre efektive kundër kërcënimeve ajrore që vijnë nga avionët, raketat dhe dronët. Sipas zyrtarëve të kompanisë, sistemet ‘IRIS-T SLM’ të vendosura në Ukrainë kanë rrëzuar më shumë se 250 raketa dhe drone ruse deri më sot, me një shkallë goditjeje prej mbi 95 për qind.
Scholz theksoi se ushtria gjermane vitet e ardhshme do të blejë pesë sisteme të tjera ‘IRIS-T SLM’ dhe se ato do të vendosen në kuadër të një sistemi të integruar të mbrojtjes ajrore, nën Iniciativën Evropiane të Mburojës së Qiellit.
Ai gjithashtu përsëriti se Gjermania nga vitit 2026 po planifikon të marrë raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi, si pjesë e planeve për të forcuar sigurinë dhe mbrojtjen evropiane.
“Unë do të doja t’u them të gjithë atyre që kanë dyshime për këtë vendim se qëllimi ynë i vetëm është të pengojmë sulmuesit e mundshëm. Çdo sulm ndaj nesh duhet të nënkuptojë rrezik për sulmuesin. Qëllimi ynë është të sigurojmë paqen këtu dhe të parandalojmë luftën, asgjë tjetër”, tha Scholz./aa