Shqipëria është lider rajonal në politikat antikorrupsion sipas raportit të OECD mbi Konkurrueshmërinë për Ballkanin Perëndimor 2024.

Kështu u shpreh ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, e cila theksoi se ky raport mat ecurinë e politikave në sferat kryesore të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Rezultati i Shqipërisë, ku është shënuar progres në 14 nga 15 fusha të rëndësishme, është një demonstrim i impaktit real të politikave që janë ndërmarrë e po ndërmerren për të garantuar një standard të pakthyeshëm mirëqeverisjeje për qytetarët”, nënvizoi Pirdeni.

Raporti thekson se, “Shqipëria ka rezultatin më të lartë ndër ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor  për dimensionin e politikave antikorrupsion, duke tejkaluar ndjeshëm rajonin në fushat e parandalimit të korrupsionit si dhe hetimit dhe ndjekjes penale”

“Përpjekjet për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin janë forcuar falë një kuadri gjithëpërfshirës ligjor dhe institucional”, thuhet në raport./ata