Perfomanca pozitive e ekonomisë shqiptare përgjatë këtij viti është reflektuar edhe në ndërmarrjen e iniciativave të reja private nga ana e qytetarëve. Të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, tregojnë se përgjatë periudhës Janar- Gusht 2024, janë regjistruar 12.240 biznese me shpërndarje në të gjithë vendin.
Sipas Ministrisë së Financave, numri i bizneseve të reja është rritur me rreth 4700 subjekte më shumë.
Por si është shpërndarja e tyre në bazë qarqesh? Duket se në top listë qëndron Tirana, duke qenë se është kryeqyteti i vendit dhe ka numrin më të lartë të popullsisë por edhe të kërkesës për konsum, Tirana regjistron 422 biznese të reja, ndjekur nga Vlora, Durrësi, Shkodra, Fieri dhe Lezha.
Ndërsa në fund renditen Kukësi me 22 biznese të regjistruara rishtazi dhe Gjirokastra me 18 të tilla. Kategoria të tjera ka një numër prej 10.889 subjektesh të regjistruara gjatë këtij viti në QKB.
Sa i takon regjistrimit sipas kombësisë, rezulton se 11.115 biznese janë me pronësi 100 % shqiptare, 961 prej tyre janë 100% të huaja, 159 subjekte kanë pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj dhe 5 janë me kombësi shqiptare por shtetërore.
Sa i takojnë formës së tyre ligjore, peshën më të madhe e zënë subjektet e regjistruara si “person fizik” apo i vetëpunësuar, me 9050 prej tyre. Person Fizik quhet një individ që kërkon të ushtrojë një aktivitet tregtar të pavarur dhe është i vetëpunësuar, i vetëm dhe/ose me punëmarrës anëtarë të papaguar të familjes dhe persona të tjerë. Shifra tregon tendencën e qytetarëve për të punuar për veten e tyre dhe duket se edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka rrëzuar tatimin e vendosur për këtë kategori, ka sjellë një ndryshim të situatës.
Ndjekur nga shoqëri me përgjegjësi të kufizuar ku janë çelur 3127 të tilla, si degë e shoqërisë së huaj janë 22 subjekte, 25 janë në formën ligjore “shoqëri e thjeshtë” 8 janë shoqëri aksionere dhe 4 zyrë përfaqësimi. Numërohen gjithashtu 3 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor dhe 1 SHA me ofertë publike./Scan