E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, Katherine Brucker, ka shprehur shqetësimin e Uashingtonit zyrtar mbi “veprimet e pakoordinuara dhe provokuese” nga Qeveria e Kosovës, të cilat, sipas saj, kanë pasur efekt negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë.

“Ne kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me veprimet e pakoordinuara dhe provokuese të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Ata i vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e Forcave të Kosovës të udhëhequra nga NATO në rrezik më të madh dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar. Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë Misionin në terren të OSBE-së në Kosovë, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcën e Kosovës, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjithë të përfshirët dhe të prekurit”, ka thënë Brucker.

Ajo ka theksuar se SHBA vazhdon ta mbështesë Kosovën si një demokraci sovrane, multietnike dhe u bën thirrje liderëve të saj të promovojnë një shoqëri që respekton të drejtat dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët në Kosovë.

“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç është rënë dakord nga të dyja palët. Ne e shohim të ardhmen e Kosovës si të shtrirë në Evropë dhe të integruar plotësisht në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Dialogu i normalizimit i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mënyra për të siguruar që Kosova të ketë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj dhe të përparojë në rrugën e saj evropiane. Ne përsërisim thirrjen tonë për Kosovën dhe Serbinë që të ecin përpara me urgjencë në zbatimin e marrëveshjes që arritën në mars 2023. Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara besojnë se normalizimi duhet të çojë në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Brucker.

Brucker ka theksuar se SHBA mbeten të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e saj të BE-së, në mbështetje të një marrëdhënieje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në bazë të marrëveshjeve dhe detyrimeve të tyre të dialogut.

/KosovaPress/