Të rinjtë tashmë janë me një vizion të qartë për të ardhmen në bujqësi dhe agroturizëm.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjete sociale, shembullin e Eldit, të riut nga Fieri që ka zgjedhur të investojë dhe të punojë në sektorin e agroturizmit.
“Në Darëzezë të Fierit, mes gjelbërimit të pishave dhe ajrit të pastër, agroturizëm “Eldi” ofron një përvojë unike ku natyra, bujqësia dhe mikpritja e vërtetë shqiptare bashkohen për t’u dhënë turistëve vendas dhe të huaj shijen e prodhimeve Made in Albania”, shkroi Denaj.
Ajo vuri në dukje se Eldi është një shembull frymëzues i të rinjve që investojnë në vendin e tyre.
“Me energjinë dhe përkushtimin e të rinjve si Eldi, agroturizmi dhe bujqësia po bëhen shtyllat e zhvillimit rural dhe promovimit të prodhimeve shqiptare”, tha Denaj./ata