Ministri i Brendshme, Ervin Hoxha zhvilloi sot një takim me nivelin drejtues të Policisë së Shtetit në qendër dhe në nivel vendor.
Në fjalën e tij ministri Hoxha informoi trupën e Policisë së Shtetit dhe opinionin publik, për çeljen e një kapitulli të ri në rrugën e uniformave blu drejt Shqipërisë 2030.
Hoxha theksoi se, në zbatim të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, hapet konkursi për drejtuesin më të lartë të policisë, që do të pasohet menjëherë nga procesi ligjor dhe meritokratik i ripërtëritjes së të gjithë skuadrës së drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit
Pas marrjes së kësaj detyre 30 ditë më parë, Hoxha tha se nisi punë intensive, së bashku me ekipin drejtues të Ministrisë së Brendshme, për të piketuar segmentin e ri të rrugës drejt Shqipërisë 2030.
“Përparimi i dekadës së fundit është i jashtëzakonshëm, po të merret parasysh pika kritike ku ishte katandisur Policia e Shtetit dhe ndjenja dëshpëruese e braktisjes që përjetohej në radhët tona deri përpara 10 viteve. Të papaguar, të paushqyer, të paveshur, të pambështetur me mjete dhe fuqi motorike dhe më e keqja fare, të tradhtuar në orët më kritike të operacioneve me rrezik jete, punonjësit e kësaj trupe bënin sa mundnin, po nuk bënin dot kurrsesi sa mundeshin”, tha më tej Hoxha.
Ministri u shpreh se, “ishte koha kur rënia në krye të detyrës e drejtuesve dhe punonjësve të Policisë bënte pjesë në të përditshmen tonë dhe kur mesatarja e vrasjeve në Shqipëri, gjatë një viti, ishte mbi 100 persona, ose një i vrarë në tre ditë”.
“Ambicia jonë për Policinë e Shtetit 2030, si një trupë e denjë e Bashkimit Europian është një ambicie e mbështetur në potencialin konkret që kemi për ta ngritur Policinë në një nivel të ri, duke konsoliduar më tej tendencën në rënie të kriminalitetit dhe rritur më shpejt cilësinë e shërbimit policor në çdo aspekt”, theksoi Hoxha.
Ministri përgëzoi punën e deritanishme të drejtuesve të Policisë së Shtetit.
Ai nënvizoi se sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu,siç tha ai, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.
Hoxha shprehu bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030.
“Unë u thirra në këtë detyrë nga Kryeministri Rama pa e menduar ndonjëherë se mund të isha një ditë ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë. Vënia e dorës mbi Kushtetutë kur bëra betimin përpara Presidentit Begaj ishte momenti më emocionues i jetës time profesionale”, tha ai.
“Uroj që kështu ta shohin promovimin në karrierë edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj të qarqeve e të strukturave kyçe të Policisë së Shtetit, në këtë kohë historike të Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ata do të zgjidhen në javët në vijim me të njëjtën frymë dhe kredenciale, të njëjta të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë”, u shpreh më tej Hoxha, duke shtuar se, asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së tyre, veç meritës e integritetit.
“Ligji i ri i sapomiratuar i Policisë së Shtetit, merita kryesore për përmbajtjen shumë të mirë që i takon paraardhësit tim të nderuar Taulant Balla dhe drejtuesve aktual të Policisë së Shtetit, është një platformë e shkëlqyer për reformimin dhe modernizimin e mëtejshëm të trupës sonë policore”, tha Hoxha./ata