Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë sot në kuvendin zgjedhor të degës së kësaj partie në Dibër, prej nga shprehu  mirënjohjen për demokratët për rezistencën e treguar gjatë këtyre 2 viteve të vështira.

“Kuvendi përfundon procesin e riorganizimit të degës pas dy viteve të vështira në të cilat me padrejtësi totale ndaj sakrificës së demokratëve u derdh dhe mbiu një frymë përçarje, me një gjuhë urrejtje nga e cila jo vetëm demokratët, por edhe shqiptarët dolën të humbur”, u shpreh Basha.

“Por ju arritët ta tejkalonit këtë kohë të vështirë me qartësinë e gjykimit tuaj, me fuqinë e vizionit tuaj dhe me forcën e karakterit kaq tipike për demokratët e Dibrës dhe për këtë ju shpreh një mirënjohje të thellë!”, iu drejtua ai të pranishmëve.

Basha theksoi se ajo që pritet nga demokratët nuk është thjesht mbijetesa, por dalja nga kriza e shkaktuar nga kjo qeveri.

“Nga njëra anë i kemi të qarta plagët e shkaktuara në Dibër dhe Shqipëri nga kjo qeveri e papërgjegjshme për shkak të korrupsionit apo pashpirtësisë. Nga ana tjetër, mungesa e një alternative dhe zëvendësimi i saj me gjuhën e lodhur dhe të mungesës së një plani nga qeveria, i shërben kësaj qeverie”, u shpreh Basha.

“Oferta duhet të jetë e plotë, pa dritëhije dhe e qartë. Si mund të ketë drejtësi kur ata që e cilësojnë veten opozitë, sulmojnë institucionin më të lartë të drejtësisë. Në vend që t’i japë qytetarëve alternativë të saktë, bëjnë zig-zage për drejtësinë”, tha Basha.

“ Pse u dorëzua flamuri i revolucionit? Sot ata që e rrëzuan revolucionin i kanë sytë përdhe. Pse nuk shohin ata po i mbajnë sytë përdhe? Ata duhet të tregojnë se si u katandis kokoshi me një thelë. Kërkuan revolucion. Sot po rrinë si qingja përballë Edi Ramës me shpresën se ky pazar do t’i mbajë në karrigen e radhës. Pazari i tyre kaq paska qenë. Ndaj kam një thirrje për bashkim. Shpresa e vetme për rotacion është këtu, është Partia Demokratike e Shqipërisë. Nuk ka ndryshuar asnjë germë në qëndrimet e saj”, tha Basha./ata