Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha sot një mesazh në 20-vjetorin e themelimit të LSI.
Meta u shpreh se LSI 20 vite më parë hapi një faqe të re në jetën politike të vendit, që ndihmoi aq shumë për zhbllokimin e proceseve të integrimit evropian dhe garantoi dy rotacione demokratike në vend, si dhe imponoi shumë reforma që i shërbyen vendit për integrimin evropian.
Meta shprehu mirënjohje të përjetshme për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që dhanë kontributet e tyre më të çmuara në këtë themelim, duke veçuar edhe ata që siç u shpreh ai “u detyruan të largohen nga vendi, por që mendjen dhe zemrën e kanë këtu”.
Presidenti i PL gjithashtu shprehu një keqardhje për të gjithë ata që e nisën si idealistë dhe përfunduan si patronazhistë dhe patronazhiste.
“Dhjetëra “bihen”, mijëra ngrihen! Unë personalisht jam 20 herë më i ri se 20 vite më parë dhe 20 herë më i fortë se 20 vite më parë”, theksoi Meta.
“Shqipëria me 5 prioritetet tona do të bëhet me 4 milionë shqiptarë plus shumë shpejt dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë”, përfundoi mesazhin e tij Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta./ata