Implementimi i autonomisë menaxheriale në gjashtë spitale publike ka rezultuar një praktikë e suksesshme, duke sjellë përmirësime të dukshme në të gjithë treguesit e aktivitetit spitalor.
Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, teksa theksoi se, “Kjo qasje e re menaxhimi po e çon shërbimin spitalor publik në një nivel të ri cilësie, duke siguruar ofrimin në kohë dhe më të mirë të shërbimeve për qytetarët”
Ministrja bëri të ditur se, “objektivi ynë është që deri në fund të vitit , kjo hartë e autonomisë menaxheriale të zgjerohet, duke përfshirë më shumë spitale”.
Sipas saj, në vitin 2025 nis zbatimi i autonomisë financiare në spitalin Memorial Fier.
“Ky spital do të bëhet qendra e parë në Shqipëri me autonomi të plotë spitalore, duke hapur rrugën për një sistem më të pavarur dhe më efikas në shëndetësi”, tha Koçiu.
Ajo infomoi se brenda 2025 edhe 14 spitale janë në proces të autonomisë financiare ndërsa 6 spitale e kanë nisur procesin. Falë autonomisë menaxheriale janë kryer 400 konsulta më shumë jashtë sistemit të referimit; të ardhurat dytësore janë rritur me 25%, ndërsa janë nënshkruar 11 marrëveshje të reja me palë të tjera.
Autonomia spitalore, përmirëson cilësinë e ofrimit të shërbimeve për qytetarët, shpërblim bazuar në performancë dhe meritokraci për mjekët duke u mundësuar paga më të mira për mjekët, por edhe paga më të larta për ata që punojnë më shumë, ndërsa spitaleve u mundëson autonomi administrative, organizative dhe rregullatore duke decentralizuar vendimmarrjet e spitalit nëpërmjet vetadministrimit të burimeve njerëzore dhe financiare./ata