Kreu i qeverisë, Edi Rama ka qenë ditën e djeshme në qytetin e Elbasanit në kuadër të festimeve për Ditën e Verës, nga ku dha një lajm të mirë për të gjithë pensionistët. Duke folur shkurtimisht para mediave, Rama u shpreh, se qeveria nuk e ka harruar premtimin për pensionistët, për të cilët tha se është së shpejti do të jepet shpërblimi i radhës që do të mblidhet nga taksa e jashtëzakonshme që do paguajnë prodhuesit e energjisë.“Përtej thashethemeve jo vetëm që nuk e kemi harruar premtimin për t’u rishpërndarë pensionistëve një tjetër mbështetje speciale duke shfrytëzuar taksën e jashtëzakonshme të kompanive që prodhojnë energji. Taksa mblidhet në prill dhe me t’u mbledhur taksa do të shikojmë menjëherë se si kryesorja në administrimin e atyre të ardhurave do të jetë për pensionistët”, deklaroi ai.
Rritja e pagës minimale
Ndërkohë Rama iu përgjigj edhe të gjithë atyre që kërkojnë rritjen e pagës minimale në 70 ose 80 mijë lekë, duke thënë se përllogaritje nuk bazohet në dëshirat që kanë por në produktivitetin ekonomik. Teksa përmend inflacionin të shkaktuar nga lufta në Ukrainë që e ka vështirësuar zhvillimin ekonomik të shumë vendeve thotë se Shqipëria barazohet me Maqedoninë e Veriut duke lënë pas Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën për rritjen e pagës minimale. Nga prilli, paga minimale shkon në vlerën e 40 mijë lekëve ndërsa Rama vijon premtimin se do e çojnë në 45 mijë lekë në fund të këtij mandati. Në një postim në Facebook, kryeministri thotë se rritja e kësaj page minimale do të riekuilibrojë piramidën e pagave pasi do të sjellë edhe rritje të pagës mesatare. “E kemi nisur nga vendi i fundit në rajon për nivelin e pagës minimale, ndërsa me rritjen e fundit ngjitemi në vendin e tretë baraz me Maqedoninë e Veriut, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Do të bëjmë edhe dy rritje të tjera për ta mbyllur këtë mandat me pagë minimale 45 mijë lek, nga 38 mijë që ishte objektivi ynë elektoral, por që s’merrte parasysh inflacionin e luftës së Putinit për të gjunjëzuar ekonomikisht mbarë Europën! Ndërkohë kjo rritje përtej parashikimeve e pagës minimale imponon edhe rritjen e pagës mesatare për të riekuilibruar piramidën e pagave, çka do të bëhet njëkohësisht në muajin prill. Disa komentojnë se paga minimale duhet të bëhet 70 apo 80 mijë lekë, por përllogaritja e pagës minimale bazohet në produktivitetin ekonomik dhe konkurueshmërinë, jo në dëshirat tona (asnjë vend i rajonit nuk e ka një minimum të tillë). Çdo rritje artificiale e saj sjell me shpejtësi pasoja destabilizuese për ekonominë, punësimin, financat e vendit”, shkroi Rama në rrjetet sociale.