12,324 familje në nevojë janë kompensuar për sasinë minimale jetike të ujit, që nga muaji prill i këtij viti. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime, në këto 6 muaj secila prej familjeve ka përfituar 5 m³ ujë në muaj falas, teksa efekti financiar përllogaritet në 12.5 mln lekë. Kjo praktikë nisi aplikimin pas miratimit të një udhëzimi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbi përdorimin e subvencioneve që marrin Shoqëritë e Ujësjellës Kanalzimeve nga shteti për vitin 2024. Në udhëzim specifikoheshin vetëm 2 prioritete për përdorimin e fondeve buxhetore, që ishin likujdimi i faturave të energjisë elektrike dhe kompensimin e sasisë minimale jetike të ujit për familjet në nevojë.
Këtu përfshihen, familjet, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme, jetimët të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesit shoqëror apo prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë. Po ashtu, përfitues janë edhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre si dhe viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesit shoqëror.
Ky është viti i parë që kompensimi i sasisë minimale të ujit për familjet në nevojë u përfshi në udhëzimin për përdorimin e subvencioneve të shtetit nga shoqëritë e ujësjellës – kanalizimeve./Tema