Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Korrik të këtij viti u vlerësua në 2.5%. Kjo normë e vendos vendin tonë poshtë mesatares së Bashkimit Europian dhe vendeve të rajonit, por më lart se vende si Çekia, Qipro, Malta, Italia apo Sllovenia. Të dhënat tregojnë se kontributin kryesor në këtë normë vijojnë ta japin ushqimet, ndërkohë më pak ndikim patën grupe si transporti, komunikimi, shërbimi arsimor apo hotelet.
Bazuar në të dhënat e “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve” nga EUROSTAT, “Scan Intel” është ndalur në normën e inflacionit të grupit “Hotele dhe restorante” për muajin Korrik të këtij viti. Për këtë grup norma e inflacionit në vendin tonë vlerësohet në 2.2%, duke u renditur mes vendeve të fundit në Europë dhe rajon. Mesatarja e Bashkimit Europian vlerësohet në 5.1%, ndërkohë renditjen e udhëheq Maqedonia e Veriut me normën më të lartë të rritjes së çmimeve deri në 23.4%.
Kroacia, Rumania dhe Bullgaria ndjekin si vendet më të shtrenjta sa i përket këtij grupi për muajin Korrik. Në nivel rajoni, pas Meqedonisë së Veriut, renditet Serbia me një normë prej 9%. Ndërkohë, Mali i Zi renditet poshtë mesatares europiane, por më i shtrenjtë se Shqipëria. Kjo e bën Shqipërinë më të favorizuar për t’u vizituar nga turistët e huaj, gjë që është reflektuar edhe në shifrat e numrit të hyrjeve në vend apo numrit të vizitorëve në strukturat akomoduese.
Danimarka, Zvicra dhe Letonia janë vendet më të lira, me një normë inflacioni nga 1.8% deri në 2%, sipas të dhënave të Eurostat. Norma e inflacionit për këtë grup në vendin tonë është ulur, krahasuar me të njejtin muajn të një viti më parë, ku regjistrohej në 4.5%./Scan