Reforma e rritjes së pagave në administratë ka ushtruar presion pozitiv edhe në sektorin publik, duke “detyruar” kompanitë që të rishikojnë pagat e punonjësve të tyre. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se përgjatë periudhës 7-mujore, të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar në vlerën e 38.1 miliardë lekë me një rritje prej 5.1 miliardë lekë ose 15.3% më shumë se 7-mujori 2023, si dhe 2% më shumë se plani i 7-mujorit 2024. Por sa ka ndikuar zëri i pagave në këtë perfomancë?
Referuar të dhënave të financave, të ardhurat nga tatimi mbi pagën nga sektori publik u realizuan me rritje +21.4%, në krahasim me 7-mujorin e vitit 2023, rritje e çka reflekton në mënyrë direkte rritjen e pagave të ndërmarrë në mesin e vitit të kaluar dhe përgjatë këtij viti, duke qenë se vendimi hyri në fuqi në muajin Korrik.
Ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi pagën nga sektori privat u realizua me rritje +14.9%, në krahasim me 7-mujorin e vitit 2023, duke kontribuuar në këtë mënyrë në rritjen e të ardhurave nga ky tatim. Shifra tregon se pavarësisht rritjes më të ulët, sërish ndjehet një diferencë pozitive në raport me vitin e kaluar.
Referuar aktit normativ të miratuar së fundmi për ndryshme në buxhetin e vitit 2024, pavarësisht nga ky trend pozitiv, tatimi mbi të ardhurat personale është parashikuar me ulje për të ardhurat biznesore, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit, i cili fuste në skemën e taksimit nga 1 janari i vitit 2024 shërbimet profesionale. Për këtë arsye, këto të ardhura të projektuara për muajt gusht-dhjetor 2024, rishikohen me ulje me -1.5 miliardë lekë më pak./Tema