Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka fuqizuar Programin Kombëtar të kujdesit dentar për kryerjen e depistimin dhe trajtimit të dhëmbëve falas për fëmijët në shkollat e vendit.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu kanë publikuar të dhënat se sa fëmijë përfitojnë nga ky program dhe numrin e kabineteve dentare të hapura në shkolla.

Rama thekson se “me hapjen e 154 kabineteve dentare në shkolla kemi mundësuar evidentimin e problematikave dentare tek nxënësit në një fazë të hershme, duke promovuar kujdesin e rregullt për shëndetin dhe mbrojtjen e dhëmbëve”.

Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë, Koçiu deklaron se janë 208 mjekë stomatologë që japin shërbim, duke mbuluar 213,097 fëmijë në të gjithë vendin, për të siguruar që çdo fëmijë të ketë akses në kujdesin dentar.

Koçiu thekson angazhimin e institucionit që drejton për të siguruar që fëmijët të kenë akses të barabartë në shëndetin dentar.

“Të angazhuar për të siguruar që fëmijët tanë të kenë akses të barabartë në shëndetin dentar dhe krijimin e një mjedisi që ndërgjegjëson kujdesin ndaj shëndetit të tyre të përgjithshëm”, nënvizoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu./ata