Sot nisin provimet për degën e Mjekësisë së Përgjithshme. 2500 të rinj testojnë aftësitë e tyre duke garuar për 400 kuota. Ky është viti i dytë që aplikohet testimi elektronik krahas Maturës Shtetërore, një kusht i kërkuar nga universiteti për të shmangur fiktivitetin e notave nga shkollat e mesme dhe për të përzgjedhur më të mirët.
Lidhur me ngërçin e krijuar për tarifat, dekanati ka sqaruar se nuk do të ketë kontrata detyruese deri sa qeveria dhe parlamenti të ndryshojnë ligjin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Një vit më parë, parlamenti miratoi ligjin që detyronte studentët e Mjekësisë të punonin në atdhe 5 vjet pas studimeve. Vetëm pasi të përfundonin këtë detyrim, ata kishin të drejtë të merrnin diplomën. Pas protestash, bojkotit të mësimit dhe ankimimit të studentëve në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit shfuqizoi pjesërisht ligjin.
Pas rrëzimit të këtyre neneve, qeveria nuk dërgoi në Kuvend ndryshimet në ligj siç ishte e detyruar të bënte brenda periudhës 3 mujore nga zbardhja e vendimit dhe Kuvendi e mbylli sesionin pa miratuar ligjin e për studentët e Mjekësisë, të cilët duket se do të jenë më qetë me kushtet ekzistuese./SyriNet